Arsimi dhe edukimi duhet të jenë busulla e zhvillimit të një kombi, vendi ku ndërtohen dija, karakteri dhe e ardhmja e brezave të rinj. Por në Kosovë, prej vitesh, shkolla po largohet nga ky mision. Ajo po shndërrohet në një hapësirë ku ndikimet politike peshojnë më shumë se profesionalizmi, ku lidhjet partiake zënë vendin e vlerave profesionale dhe ku ndërhyrjet e pushtetit e zbehin autonominë e saj.
Një nga sfidat më të mëdha pas luftës ka qenë politizimi sistematik i arsimit. Në vend që shkollat të drejtohen nga profesionistë me integritet dhe vizion, ato po udhëhiqen nga individë të afërt me pushtetin. Punësimet dhe avancimet e mësimdhënësve, drejtorëve dhe stafit arsimor nuk mbështeten gjithmonë në dije e aftësi, por edhe në lidhje politike. Kjo ka dobësuar meritokracinë dhe ka forcuar klientelizmin, duke shkaktuar degradim institucional e profesional.
Siç ka theksuar Platoni, drejtimi i një shoqërie kërkon njerëz të mençur dhe të përgatitur. Kjo vlen veçanërisht për arsimin, sepse shkolla nuk është vetëm një institucion administrativ, por vendi ku formohen mendjet, karakteri dhe e ardhmja e brezave të rinj.

Pasojat janë të dukshme. Kur në drejtimin e institucioneve arsimore vendosen persona pa vizion të mjaftueshëm dhe pa përgatitje të duhur profesionale, pasojat ndihen drejtpërdrejt në funksionimin e shkollës. Në vend që të mbështesin mësimdhënësit dhe zhvillimin profesional, ata shpesh shndërrohen në instrumente kontrolli dhe presioni. Në një mjedis të tillë, mësimdhënësit humbin motivimin, cilësia e mësimdhënies bie dhe nxënësit pësojnë pasojat më të mëdha.
Besimi i prindërve në arsimin publik është minuar. Kur vendimmarrja shihet si e diktuar nga politika, bie besimi te institucioni që ka për mision edukimin dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm. Disa familje, sapo u krijohet mundësia, zgjedhin alternativa private, duke thelluar pabarazitë sociale.
Gjendja është edhe më e rëndë në zonat rurale. Shkollat në fshatra shpesh mbeten jashtë vëmendjes institucionale, pa mbështetje profesionale dhe pa inspektim të rregullt. Si pasojë e keqmenaxhimit, rënies së cilësisë së arsimit dhe mungesës së një mësimdhënieje koherente e të qëndrueshme, numri i nxënësve po zvogëlohet vazhdimisht. Kjo e dobëson edhe më shumë pozitën e shkollave publike në këto zona dhe kufizon mundësitë e zhvillimit e të suksesit për nxënësit, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në qytet.
Përtej këtyre pasojave të dukshme, më shqetësuesja është se kjo gjendje po pranohet gradualisht si normale. Shkolla nuk mund të shndërrohet në një hapësirë punësimi për militantë partiakë, por duhet të mbetet institucioni ku kultivohet dija, formohet karakteri dhe ndërtohet e ardhmja e shoqërisë. Politizimi i saj e dëmton cilësinë e arsimit dhe dobëson themelet mbi të cilat mbështetet zhvillimi i vendit.
Shkëputja e arsimit nga ndikimet politike është një imperativ i kohës sonë. Shkolla duhet t’u kthehet mësuesve, nxënësve dhe prindërve, jo interesave partiake. Drejtuesit duhet të përzgjidhen mbi bazën e aftësive profesionale dhe integritetit, ndërsa punësimi i mësimdhënësve dhe stafit profesional të mbështetet në kritere të drejta dhe konkurrencë të ndershme.
Shkolla ka nevojë për një sistem arsimor të lirë nga politika klienteliste, të udhëhequr nga profesionalizmi, përgjegjësia dhe meritokracia. Kjo kërkon guxim institucional, vullnet politik dhe angazhim qytetar. Arsimi nuk mund të jetë pronë e partive politike; ai duhet t’i shërbejë dijes, nxënësve dhe së ardhmes së vendit. Vetëm një sistem i depolitizuar mund të ndërtojë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë, ku çdo fëmijë ka mundësi të zhvillojë dhe të realizojë potencialin e tij.
Autori është arsimtar i gjuhës angleze në fshatin Kralan, Gjakovë