Ministria e Arsimit tregon kur do të ekzekutohen paratë për librat



nder titull

- Advertisement5 -

Qeveria e Kosovës i ka ndarë mbi 14 milionë euro për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore për vitin 2026.

- paragrafi 1 -

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Anita Kadriu, drejtoresha e Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.

- Advertisement - M1

Sipas Kadriut, ekzekutimi i mjeteve të subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore do të ndodhë gjatë javës së ardhshme, pra duke filluar nga data 17.08.2026.

Bazuar në Ligjin Nr. 10/L-001, për Ministrinë e Arsimit në vitin 2026 në kategorinë Zhvillimi i Planprogramit janë të dedikuara 14 milionë e 115 mijë e 389 euro. Kurse, në kategorinë subvencione dhe transfere janë të dedikuara gjithsej 25 milionë e 305 mijë e 360 euro.

Aplikimi për subvencionim u hap më 27.07.2026 dhe realizohet përmes platformës e-Kosova. Kadriu tha se prindërit kanë kohë të aplikojnë edhe për disa ditë.

- Advertisement - m2

Siç e ka konfirmuar Kadriu, 176 mijë e 62 aplikime kanë qenë deri në ora 11:00, të martën, më 11.08.2026.

Kadriu ka deklaruar se “sot [11.08.2026] në mëngjes ka filluar verifikimi i aplikimeve [për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore] që deri tani janë ngarkuar në sistem.”

Drejtoresha Kadriu tha se ende nuk e kanë përcaktuar shumën se sa do t’ju ndahet nxënësve të klasave 1 deri 5 dhe atyre 6 deri 9 për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore.

“Jemi duke pritë mbylljen e aplikimeve dhe në bazë të numrit të nxënësve që do t’i marrin në nivel Kosove, ne do të dimë ta ndajmë edhe shumën e mjeteve, d.m.th. e ndajmë saktë për secilin.” – ka thënë Kadriu më 11.08.2026.

Ajo tha se synojnë që këtë vit nxënësit të pajisen me të gjitha tekstet shkollore dhe mësimi të fillojë më 01.09.2026.

Kadriu ka treguar se këtë vit janë duke i subvencionuar edhe nxënësit që prindërit e tyre nuk kanë lejeqëndrim zyrtar për Kosovë, e këtu i kanë përfshirë ata që vijnë nga Shqipëria, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Sipas saj, viteve të kaluara nuk kanë pasur mundësi t’i subvencionojnë për shkak të bazës ligjore.

Kadriu ka shpjeguar se këta prindër derisa nuk kanë llogari në e-Kosova, marrin një vërtetim nga shkolla se nxënësi është duke e vijuar mësimin, e dërgojnë në Ministri të Arsimit fizikisht apo përmes adresës elektronike dhe tha se “e përpilojmë një listë, të cilën ia dërgojmë Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe ASHI manualisht i vendos në sistem.”

Gjithashtu, Kadriu ka thënë se janë duke i subvencionuar për blerjen e teksteve shkollore edhe nxënësit me nevoja të veçanta, nxënësit e Qendrës Korrektuese në Lipjan, nxënësit nga Sos fshatrat.

Njësoj si viteve të kaluara, edhe këtë vit, Ministria e Arsimit po e bën verifikimin e aplikimeve për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore përmes koodrinatorëve të pozicionuar në çdo shkollë.

Kadriu tha se janë rreth 620 shkolla amë në Kosovë, në të cilat janë nga dy koordinatorë që ndihmojnë në aplikimin e prindërve për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore dhe në verifikimin e këtyre aplikimeve.

Kur u pyet nëse planifikojnë të shtojnë buxhet për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore, Kadriu tha se nuk janë të sigurtë dhe po presin numrin e saktë të aplikimeve.

“Ju lutemi që prindërit të jenë pak më të përgjegjshëm, ta kryejnë aplikimin për subvencionim [me kohë].” – theksoi ajo.

Ky është viti i katërt që Ministria e Arsimit e aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, që nga viti shkollor 2023/2024. Metoda kishte nisur në kohën e ish-ministres Arbërie Nagavci, kurse këtë vit në vend të saj është ministri në detyrë, Hajrulla Çeku.