Shkollat në Kosovë kanë nisur të pajisen me ditarë nga data 07.09.2026, ka bërë të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Pajisja me ditarë po bëhet gati një javë pas fillimit të vitit shkollor.
Ministria ka thënë se vonesat në furnizim janë shkaktuar për arsye operative nga operatori i përzgjedhur, Shtëpia Botuese “PEMA”.
“Operatori i përzgjedhur, Shtëpia Botuese PEMA, na kishte njoftuar se për shkaqe operative do të ketë pak vonesa. Tashmë kemi pranuar konfirmimin se operatori ka furnizuar libraritë e autorizuara me ditarë dhe shkollat kanë nisur të pajisen me to”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit për KALLXO.com,
Sipas Ministrisë, shpërndarja e dokumentacionit nëpër shkolla realizohet në bashkëpunim ndërmjet operatorit dhe drejtorive komunale të arsimit.
Ministria ka njoftuar se e ka përmbyllur thirrjen për botimin e dokumentacionit shkollor në arsimin parauniversitar për periudhën 2026/2027–2028/2029.
Në këtë dokumentacion përfshihen libri i klasës, libri amë, libri për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë, dëftesat, librezat, diplomat, certifikatat, regjistrat e diplomave të lëshuara dhe regjistrat e certifikatave të maturës shtetërore.
Ministria ka thënë se operatori i ri do t’i ofrojë këto dokumente me çmime më të ulëta se më parë.
Ditarët, të cilët sipas Ministrisë së Arsimit në të kaluarën kanë kushtuar 15 euro ose më shumë, tani do të kushtojnë 9.90 euro. Libri amë do të kushtojë 10.90 euro, nga 20 euro ose më shumë sa kishte kushtuar më herët.
Ndërkaq, çmimi i librit për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë do të jetë 7.90 euro. Sipas Ministrisë, ky libër më parë ka kushtuar 20 euro ose më shumë.
Ministria e Arsimit njofton se gjatë tri viteve të ardhshme shpenzimet për dokumentacionin shkollor do të ulen për më shumë se gjysmë milioni euro.
Në fund të muajit gusht, një ditë para fillimit të vitit shkollor, KALLXO.com kishte raportuar se ditarët për klasa dhe materialet pedagogjike ende nuk ishin shpërndarë në shkolla të Kosovës.