Deri të premten në orën 16:00, gjithsej 102.897 prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar ta bëjnë këtë sa më shpejt, në mënyrë që mjetet financiare të transferohen me kohë në xhirollogaritë e tyre.
“Deri në orën 16:00 të ditës së sotme kanë aplikuar 102.897 prindër. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar në e-Kosova për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën që ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që Ministria të ketë mundësi të realizojë me kohë dhe sa më shpejt transferimin e mjeteve financiare në xhirollogaritë e prindërve, që në shtator secili nxënës ta nisë mësimin i pajisur me libra”, ka deklaruar drejtoresha për Arsimin Parauniversitar në MASh, Anita Kadriu.
Kadriu ka bërë të ditur se procesi i aplikimit po zhvillohet me sukses dhe se deri më tani nuk janë shënuar pengesa, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me stafin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
“Procesi i aplikimit po zhvillohet me sukses dhe deri më tani ka rrjedhur pa pengesa, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me stafin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Gjatë gjithë procesit, qytetarëve u është ofruar mbështetje e vazhdueshme për çdo paqartësi apo vështirësi të hasur gjatë aplikimit, duke siguruar vazhdimësinë e procesit pa vonesa”, tha Kadriu.
Ajo bëri të ditur se mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose aplikuesit.
“Para se të aplikojnë, por edhe ata prindër që tashmë kanë aplikuar, i lusim të sigurohen që xhirollogaria e tyre bankare është aktive dhe e saktë, si dhe që të dhënat në e-Kosova janë të përditësuara”, shtoi ajo.
Kadriu njoftoi gjithashtu se aplikimi do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Ndërkaq, për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Republikës së Kosovës, MASh do t’ia dorëzojë ASHI-së listën e këtyre rasteve, me qëllim të krijimit të qasjes në platformën e-Kosova për aplikim.
“Dokumentet për këtë kategori prindërit mund t’i dërgojnë me email në adresën [email protected], por edhe në formë fizike në MASh”, tha ajo.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar.