Mesazhi i mësueses Mimoza Rexhvelaj me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në Shqipëri:
Ne jemi misionarë të dijes!
Jemi pjesë e ndërtuesve të së ardhmes.
Jemi ne që rrisim brezat me dashuri për vendin dhe njerëzit e tij.
Ne që i brumosim me vlerat më të larta të moralit, diturisë dhe shpresës për të nesërmen, me besimin se ky vendi ynë do të jetë në duar të sigurta.
Sot është dita e parë e shkollës dhe zgjodha ta nis këtu urimin tim për kolegët e mi, për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, për ata që nisin rrugëtimin drejt një ëndrre, por edhe për prindërit e tyre që na i besojnë edukimin e fëmijëve të tyre.
Të gjithë jemi koshientë për gjendjen e arsimit shqiptar, për problemet me numrin e nxënësve, shpopullimin, mbylljen e shkollave dhe largimin e stafit drejt shkollave në qendër.
Në vazhdën e këtij organizimi strukturor për shkurtimin e orëve, do e nis këtë vit shkollor pranë shkollës së Gruemirës.
Sot më duhet të bëj edhe një falënderim për Linajt, ku kalova 11 vite të jetës dhe punës sime.
Janë 11 vite me sfida të mëdha, me sulme e goditje, por edhe me shumë mirënjohje, mbështetje nga banorët dhe dashuri pa kushte nga nxënësit e mi.
Sot e mbyll këtë kapitull, por jo për t’i dhënë fund një rrugëtimi, por për të hapur një faqe tjetër, me të njëjtën dashuri, përkushtim dhe mirënjohje për punën time si mësuese.
Vendet e punës mund të ndryshojnë, bankat mund të ndryshojnë,fëmijët mund të rriten dhe brezat ndryshojnë,por misioni i mësuesit mbetet i njëjtë:”Të mbjellë dije, vlera dhe shpresë në zemrën e çdo fëmije!”
Urime kolegë!
Urime nxënës!
Urime prindër!
Qoftë një vit i mbarë për të gjithë!
