Një ditë e veçantë dhe plot emocione për nxënësin e klasës së tretë, Beson Rrahmani, dhe mësuesen e tij, Adriana Shala, në shkollën “Musa Zajmi” në Gjilan.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në AMC Applied Mathematics Competition, ku Besoni u rendit i treti në botë në kategorinë Junior Primary dhe u vlerësua me titullin “Gold Champion”, ai u nderua me mirënjohje nga shkolla e tij.
Mirënjohjen për këtë arritje të veçantë ia dorëzoi drejtori i shkollës, Ramadan Dërmaku, në shenjë vlerësimi për talentin, përkushtimin dhe suksesin e tij në arenën ndërkombëtare.

Për mësuesen Adriana Shala, e cila e përcjell dhe e mbështet Besonin gjatë rrugëtimit të tij shkollor, kjo arritje është një moment i veçantë krenarie.
Si mësuese, është një emocion i veçantë ta shohësh nxënësin tënd duke arritur majat. Besonin e kam parë çdo ditë në klasë, me kureshtjen, përkushtimin dhe dashurinë e tij për matematikën. Sot, kur shkolla e nderoi me mirënjohje, zemra ime është plot krenari.
Beson, ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tënd. Do të jem pranë teje dhe do të besoj gjithmonë në potencialin tënd.”

Suksesi i Besonit është një krenari për shkollën “Musa Zajmi”, Gjilanin dhe Kosovën.
Ai është dëshmi se talenti, puna dhe përkushtimi, edhe në moshë të vogël, mund të çojnë drejt sukseseve të mëdha në arenën ndërkombëtare.
Një talent i vogël nga Gjilani, një sukses i madh për Kosovën!
Urime, Beson! Vazhdo të ëndërrosh, të punosh dhe të shkëlqesh! /Marrë nga Lumipress