Kujdesi për mjedisin po merr vëmendje edhe në përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në Shkollën “Bajram Curri” në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit.
Në një njoftim të publikuar të shtunën, shkolla ka veçuar përkushtimin e mësuesit Afrim Duraku, i cili kujdeset për pishat dhe hapësirat e gjelbra të shkollës, shkruan AlbanianEducation.net.
Nga shkolla kanë vlerësuar se ky përkushtim ndaj natyrës shkon paralelisht me kujdesin dhe përkushtimin që mësuesi tregon çdo ditë ndaj nxënësve të tij.
“Ai që kujdeset për natyrën, kujdeset për jetën”, thuhet në mesazhin e publikuar nga shkolla, duke iu referuar thënies së natyralistit John Muir.
Përmes këtij aktiviteti, Shkolla “Bajram Curri” synon të promovojë kujdesin ndaj mjedisit dhe krijimin e një ambienti sa më të përshtatshëm për nxënësit.
“Së bashku për një shkollë model”, është mesazhi përmbyllës i shkollës.