Mësimdhënësi Enes Bërveniku ka përgatitur një mjet praktik në Excel, të cilin mësimdhënësit e Shkollave të Mesme të Ulëta dhe të Larta mund ta përdorin falas për të bërë një përllogaritje të pagës së tyre.
Sipas Bërvenikut, ideja për përgatitjen e këtij “Njëhsori” ka ardhur nga pyetjet e shpeshta që mësimdhënësit kanë lidhur me pagat, veçanërisht në rastet kur kanë norma të ndryshme pune, mbi-norma apo angazhim në mësimin tërëditor.
Mjeti kërkon plotësimin e pesë parametrave kryesorë:
Koeficientin
Normën
Vitet e përvojës së punës
Mbi-normën
Orët në mësimin tërëditor
Pas vendosjes së të dhënave, Excel-i përllogarit komponentët e pagës, përfshirë pagën bazë, përvojën e punës, pagën bruto, kontributin pensional, tatimin në pagë dhe pagën neto.
Në shembullin e paraqitur në dokument, me koeficient 6.60, vlerë të koeficientit 110 euro, pagë bazë 726 euro dhe përvojë pune prej një viti, paga bruto e përllogaritur rezulton 729.63 euro, ndërsa paga neto para dhe pas kontributit të SBASHK-ut paraqitet veçmas në tabelë.
Bërveniku ka bërë të ditur se “Njëhsori” mund të përdoret falas, ndërsa mësimdhënësit duhet të vendosin të dhënat e tyre për të marrë përllogaritjen.
Ai ka kërkuar gjithashtu që përdoruesit të njoftojnë nëse vërejnë ndonjë gabim në formula apo ndonjë element që mungon, në mënyrë që mjeti të përmirësohet.
Bërveniku ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që të ketë lëshime në llogaritjen e tatimeve për orët e mësimit tërëditor, ndaj përllogaritjet duhet të konsiderohen si orientuese dhe të verifikohen në rast nevoje.