Shkruar nga Muharrem Qafleshi
Mentor Baxhaku është një nga figurat e respektuara të arsimit kosovar, i cili me përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin e tij ka lënë gjurmë të veçanta në mësimdhënien e matematikës. Ai u lind në fshatin Bellobrad të trevës së Opojës, ndërsa sot jeton dhe vepron në Prishtinë, ku vazhdon të japë kontribut të çmuar në edukimin e brezave të rinj.
Shkollimin universitar e kreu në Fakultetin e Matematikës të Universitetit të Prishtinës, duke u dalluar për rezultate të larta akademike. Më pas vazhdoi ngritjen profesionale dhe shkencore duke përfunduar studimet master në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Karrierën e tij e ndërtoi me përkushtim në institucionet më prestigjioze arsimore. Aktualisht është profesor në Shkollën e Mesme të Lartë “Xhevdet Doda” në Prishtinë, një ndër institucionet më të njohura të arsimit të mesëm në Kosovë. Përveç kësaj, ai ka qenë i angazhuar edhe si ligjërues në Kolegjin “Universum”, duke dhënë kontribut edhe në arsimin e lartë.
Që në bankat e gjimnazit, Mentori u shqua për talentin e tij të veçantë në matematikë. Dashuria për këtë shkencë dhe aftësitë e tij të spikatura e orientuan drejt studimeve universitare në këtë fushë. Gjatë viteve të studimeve ai dëshmoi përkushtim, disiplinë dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme, duke i përfunduar ato me rezultate të larta dhe duke fituar respektin e profesorëve e kolegëve.
Në veprimtarinë e tij si mësimdhënës, profesor Mentor Baxhaku u bë shpejt një emër i njohur dhe i respektuar. Metodologjia e tij bashkëkohore, shpjegimet e qarta dhe aftësia për t’i bërë edhe temat më të ndërlikuara të matematikës të kuptueshme, kanë bërë që nxënësit ta vlerësojnë dhe ta respektojnë jashtëzakonisht shumë.
Ai njihet si një profesor rigoroz, por njëkohësisht tepër i drejtë në vlerësim. Drejtësia, objektiviteti dhe korrektësia kanë qenë gjithmonë parime themelore të punës së tij. Pikërisht këto cilësi i kanë siguruar një respekt të madh jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga prindërit, kolegët dhe drejtuesit e institucioneve ku ka punuar.
Sipas kolegëve të tij, Mentor Baxhaku është një mjeshtër i vërtetë i mësimdhënies së matematikës. Ai ka aftësinë që dijen ta përcjellë me durim, përkushtim dhe profesionalizëm, duke u përpjekur vazhdimisht që secili nxënës ta kuptojë dhe ta përvetësojë lëndën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në jetën profesionale dhe shoqërore ai njihet si njeri i urtë, i sinqertë, i fjalës dhe i besës. Disiplina në punë, përpikëria në respektimin e orarit mësimor, serioziteti në realizimin e kurrikulës dhe pedanteria në organizimin e procesit mësimor janë tipare që e dallojnë. Rreptësia e tij në klasë ka qenë gjithmonë e shoqëruar me drejtësi, mirëkuptim dhe përgjegjësi profesionale.
Për këto vlera njerëzore dhe profesionale, profesor Mentor Baxhaku gëzon autoritet dhe respekt të madh në komunitetin arsimor dhe në shoqëri. Ai mbetet shembull i mësimdhënësit të përkushtuar, i cili me dijen, punën dhe karakterin e tij fisnik ka ndikuar në formimin intelektual dhe njerëzor të shumë brezave të nxënësve.
Kontributi i profesor Mentor Baxhakut në arsimin e Kosovës përbën një vlerë të çmuar dhe një dëshmi se mësimdhënësi i përkushtuar mbetet gjithmonë frymëzim për brezat që vijnë.