Në shkollën “Shkëndija” në Hajvali është mbajtur mbledhja e Këshillit të Prindërve, ku në fokus ishin çështje të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, sigurinë e nxënësve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe familjes.
Gjatë takimit u diskutua për fillimin dhe organizimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, sigurinë në ambientet e shkollës, si dhe rreziqet që mund të lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale nga nxënësit.
Në mbledhje mori pjesë edhe psikologia e shkollës, Furtuna Vukaj, e cila foli për rolin e shërbimit psikologjik në institucionin arsimor dhe mbështetjen që u ofrohet nxënësve në aspektin emocional, social dhe edukativ.
Sipas shkollës, gjatë diskutimit u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet psikologut, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, veçanërisht në identifikimin, parandalimin dhe trajtimin e vështirësive me të cilat mund të përballen nxënësit.
Një nga çështjet e rëndësishme të mbledhjes ishte edhe përzgjedhja e kryetares së Këshillit Drejtues të Shkollës (KDSH). Në këtë pozitë u zgjodh Kimete Islami-Abdyli.
Shkolla e ka uruar Islami-Abdylin për përgjegjësinë e marrë, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe bashkëpunim të suksesshëm në funksion të zhvillimit të mëtejmë të institucionit.
Në përfundim, SHFMU “Shkëndija” ka falënderuar përfaqësuesit e prindërve për pjesëmarrjen dhe diskutimin konstruktiv, duke vlerësuar gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm.