Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore 2026, pas përfundimit të procesit të administrimit, vlerësimit dhe përpunimit të të dhënave.
Sipas të dhënave të MASH-it, në këtë afat provimit iu nënshtruan gjithsej 4 mijë e 433 kandidatë, ndërsa 2 mijë e 444 prej tyre e kaluan me sukses testin, apo 55.1 për qind e kandidatëve.
Arritshmëria mesatare e përgjithshme në test ishte 43.2 pikë.
Sa i përket rezultateve sipas lëndëve, kandidatët kanë arritur mesatarisht:
Gjuhë amtare: 49.3 pikë
Gjuhë angleze: 44.1 pikë
Matematikë: 36.4 pikë
Lënda zgjedhore: 42.9 pikë
Gjatë administrimit të provimit, 18 kandidatë janë larguar nga testi për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e Maturës Shtetërore.
MASH ka falënderuar të gjithë personat e angazhuar në organizimin dhe administrimin e provimit për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit.