Këshilla për prindërit para se t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë
Prindër:
1. Flisni bukur për shkollën.
Mos e frikësoni fëmijën me fjalë si “Në shkollë do të shohësh…” apo “Mësuesja do të të qortojë”. Shkolla duhet të paraqitet si një vend ku ai do të mësojë, do të krijojë miqësi dhe do të zbulojë gjëra të reja.
2. Jepini siguri dhe dashuri.
Një përqafim dhe një fjalë e ngrohtë para se të hyjë në klasë mund t’i japin fëmijës shumë forcë.
3. Mësojeni të jetë i pavarur.
Të kujdeset për çantën, librat, lapsat, rrobat dhe gjërat personale. Përgjegjësia mësohet gradualisht.
4. Vendosni një rutinë të shëndetshme.
Orari i gjumit, zgjimit, ushqimit, detyrave dhe pushimit duhet të jetë sa më i rregullt.
5. Mos e krahasoni me fëmijët e tjerë.
Çdo fëmijë ka ritmin dhe aftësitë e veta. Krahasimi mund t’ia ulë vetëbesimin.
6. Mos i kërkoni përsosmëri.
Mësojeni se gabimi nuk është dështim. Gabimi është një mundësi për të mësuar.
7. Mos u fokusoni vetëm te notat.
Pyeteni edhe: “Çfarë mësove sot?”, “Me kë luajte?”, “A të ndihmoi dikush?”, “A ndihmove dikë?”
8. Mësojeni të respektojë mësuesin dhe shokët.
Edukata, mirësjellja, toleranca dhe respekti janë po aq të rëndësishme sa dituria.
9. Bashkëpunoni me mësuesin.
Prindi dhe mësuesi duhet të jenë partnerë në edukimin e fëmijës, jo kundërshtarë.
10. Dëgjojeni fëmijën.
Nëse ka frikë, shqetësim apo vështirësi, mos e nënvlerësoni. Flisni me të me qetësi dhe kërkoni zgjidhjen së bashku.
11. Kufizoni përdorimin e telefonit dhe pajisjeve elektronike.
Sidomos në mbrëmje, fëmija ka nevojë për gjumë, qetësi dhe kohë për familjen.
12. Lexoni së bashku.
Edhe pak minuta lexim çdo ditë mund t’i krijojnë fëmijës dashurinë për librin dhe dijen.
13. Mësojeni të mos dorëzohet.
Thuajini: “Nuk ka rëndësi nëse nuk ia dole sot. Provo përsëri nesër.”
14. Mos e ngarkoni me frikën e suksesit.
Fëmija duhet ta kuptojë se vlera e tij nuk përcaktohet nga një notë.
15. Jepini një shembull të mirë.
Fëmijët mësojnë shumë më tepër nga ajo që shohin te prindërit sesa nga ajo që dëgjojnë…