Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar shtrirjen e licencimit të avancuar të mësimdhënësve në të gjitha nivelet e arsimit, masë të cilën e ka lidhur edhe me rritje të pagave.
Në ekspozenë e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës për Programin Qeveritar dhe gjatë prezantimit të Kabinetit të ri Qeveritar, Kurti ka paraqitur prioritetet e ekzekutivit në fushën e arsimit, duke përfshirë zhvillimin profesional të mësimdhënësve, përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe reformimin e arsimit universitar.
“Licencimi i avancuar i mësimdhënësve do të shtrihet në të gjitha nivelet dhe do të shoqërohet me rritje page”, ka deklaruar Kurti, shkruan AlbanianEducation.net.
Ai ka bërë të ditur se Qeveria synon të rrisë përfshirjen e fëmijëve në çerdhet publike, ndërsa për prindërit që zgjedhin çerdhet jopublike do të ofrohen bono. Po ashtu, synohet përfshirja e të gjithë fëmijëve të moshës pesë deri në gjashtë vjeç në ciklin parafillor.
Në kuadër të reformave në arsimin parauniversitar, Kurti ka paralajmëruar rishikimin e teksteve shkollore, zgjerimin e mësimit plotësues dhe hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara.
Një tjetër masë e paralajmëruar është mbështetja për profesionistët me doktoratë që punojnë në shkollat e komunave më të largëta, të cilët do të marrin një shtesë të posaçme.
“Synimi ynë është që ata të cilët kanë doktoruar të mos kenë, aktualisht ose potencialisht, vetëm jetë akademike por edhe përvojë pedagogjike”, ka thënë Kurti.
Programi parasheh gjithashtu zhvillimin e shkollës gjithëditore, e cila sipas Kurtit do të përfshijë artin, sportin dhe mësimin digjital. Për fëmijët me nevoja të veçanta janë paralajmëruar shërbime me logopedë, psikologë dhe veprimtari të përshtatura.
Në arsimin profesional, Qeveria synon t’i shtojë arsimit dual dhjetë profile të reja, ndërsa këshillimi për karrierë pritet të vendoset në shkolla.
Kurti ka paralajmëruar edhe shtrirjen e internetit të shpejtë dhe falas në 1 mijë institucione parauniversitare.
Sa i përket arsimit të lartë, ai ka thënë se universitetet publike do të profilizohen dhe do të financohen në bazë të cilësisë dhe punës shkencore.
“Pra, nuk do të mbyllim universitete, por do t’i profilizojmë ato. Sepse një universitet nuk mund të jetë i mirë me të gjitha fakultetet dhe sidomos jo njësoj i mirë në të gjitha fakultetet që i ka”, ka deklaruar kryeministri.
Në kuadër të investimeve në infrastrukturën universitare, është paralajmëruar edhe ndërtimi i një konvikti dhe tri sallave të reja të bibliotekës në Qendrën e Studentëve.