Lajm i mirë: 18 mësimdhënës në Fushë Kosovë përfshihen në listën e rregullt të pagave



nder titull

- Advertisement5 -

18 mësimdhënës në Fushë Kosovë, të cilët deri më tani nuk kanë qenë pjesë e listës së rregullt të pagave, nga muaji gusht do të përfshihen në sistemin e rregullt të pagave dhe do t’i realizojnë pagat e tyre.

- paragrafi 1 -

Një delegacion i sindikatës, i kryesuar nga Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, dhe i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ymer Ymeri, si dhe Kryetari i nivelit komunal të SBASHK-ut në Fushë Kosovë, Haki Krasniqi, u prit në takim nga Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, dhe Drejtori i Arsimit, Sabri Xhigolli.

- Advertisement - M1

Takimi u zhvillua në një frymë të hapur, miqësore dhe bashkëpunuese. Në fokus të bisedës ishin çështjet me interes për punëtorët e arsimit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet sindikatës dhe institucioneve komunale, si dhe rëndësia e vazhdimit të dialogut institucional për zgjidhjen e problemeve konkrete.

Lajm veçanërisht i mirë ishte konfirmimi se 18 mësimdhënës, të cilët deri më tani nuk kanë qenë të përfshirë në listën e rregullt të pagave, duke filluar nga muaji gusht do të përfshihen në sistemin e rregullt të pagave dhe do t’i realizojnë pagat e tyre.

Delegacioni sindikal e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm dhe të mirëpritur për këta punëtorë të arsimit, të cilët kanë pritur një kohë të gjatë për zgjidhjen e statusit të tyre.

- Advertisement - m2

Në takim u diskutua edhe për gjendjen e 25 punëtorëve teknikë, të cilët, sipas informatave të paraqitura, nuk kanë realizuar pagat e tyre që nga shtatori i vitit 2025. Përfaqësuesit sindikalë kërkuan që edhe për këtë kategori të gjendet sa më shpejt një zgjidhje konkrete dhe që këta punëtorë të mos vazhdojnë të përballen me pasiguri dhe vështirësi financiare.

Një nga çështjet e tjera të diskutuara ishte edhe zhvillimi i arsimit në Komunën e Fushë Kosovës dhe planet për zgjerimin e rrjetit të çerdheve, duke përfshirë edhe fshatrat e kësaj komune. Delegacioni sindikal e vlerësoi si të rëndësishme çdo nismë që kontribuon në krijimin e mundësive më të mira për fëmijët dhe familjet dhe në përmirësimin e shërbimeve arsimore.

Po ashtu, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës dhe SBASHK-ut në organizimin dhe realizimin e trajnimeve për mësimdhënës, si dhe në fusha të tjera që kontribuojnë në zhvillimin profesional të punëtorëve të arsimit dhe në avancimin e cilësisë së arsimit.

Kryetari i Komunës, Valon Prebreza, dhe Drejtori i Arsimit, Sabri Xhigolli, shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe dialogut me përfaqësuesit sindikalë, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të gjetjes së zgjidhjeve konkrete për çështjet që preokupojnë punëtorët e arsimit.

Delegacioni sindikal e vlerësoi pozitivisht këtë qasje bashkëpunuese dhe shprehu gatishmërinë e BSPK-së dhe SBASHK-ut për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin institucional me Komunën e Fushë Kosovës, në interes të punëtorëve të arsimit, nxënësve dhe zhvillimit të arsimit në përgjithësi.

SBASHK-u beson se dialogu i sinqertë, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe gatishmëria për të kërkuar zgjidhje konkrete janë rruga më e mirë për tejkalimin e problemeve dhe krijimin e kushteve më të mira për punëtorët e arsimit dhe institucionet arsimore.