Nëse për vite të tëra kemi politika të paqëndrueshme, reforma që ndryshojnë shpesh, mungesë investimesh të mjaftueshme, probleme me tekstet dhe mjetet mësimore, mungesë të mbështetjes profesionale, menaxhim jo gjithmonë të mirë të shkollave dhe bashkëpunim të dobët mes shkollës e familjes, punësime partiake në shkolla, mungesë trajnimesh adekuate për mësimdhënës, atëherë nuk mund të presim rezultate pozitive.
Këtu nuk ka fajtor të vetëm
Arsimi është sistem dhe kur sistemi dështon, përgjegjësia duhet të kërkohet në të gjitha nivelet.
Qeveria ka përgjegjësi për politikat arsimore dhe investimet. Komunat kanë përgjegjësi për menaxhimin dhe funksionimin e shkollave. Drejtuesit e shkollave kanë përgjegjësi për organizimin dhe cilësinë e punës. Mësimdhënësit kanë përgjegjësi për profesionalizmin dhe punën me nxënësit. Prindërit kanë përgjegjësi për edukimin, disiplinën, mbështetjen e fëmijëve dhe bashkpunimin me mësimdhënisit dhe shkollën.
Rezultatet e PISA-s nuk duhet të shërbejnë për propagandë politike dhe as për të poshtëruar askënd . Kjo duhet të jetë një pikënisje për ndryshim, përndryshe e keqja do t’a bëjë të vetën.
Sepse një vend nuk mund ta ndërtojë të ardhmen vetëm me autostrada, ndërtesa, shpërndarje parash në formë lëmoshe. E ardhmja ndërtohet mbi dijen e fëmijëve që sot ulen në bankat e shkollës.
“Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë”. Sami Frashëri
Shembull konkret: Japonia, Singapori, Finlanda etj, ku baza e zhvillimit të vendit ka qenë dhe mbetet investimi në arsim dhe edukim. Investimi në arsim nuk është shpenzim, është investim në të ardhmen e shtetit.
Prandaj, ta lëm fajin jetim anash, t’i pranojmë problemet, të gjejmë përgjegjësitë dhe të ndërtojmë zgjidhje.
Sepse PISA nuk është fundi i botës, nga këto shkolla kan dalur kuadro të shkëlqyeshme që na kan bërë krenarë anë e mbanë botës në mjeksi, matematikë, robotikë e shkenca të ndryshme.
Kjo tregon se potenciali ekziston, por na duhet një sistem i mirëfillt.
Kriza në arsim nuk zgjidhet duke kërkuar një fajtor. Zgjidhet duke marrë përgjegjësi.