Bashkëpunimi mes shkollës “Arsim Rexhepi” dhe prindërve po sjell rezultate konkrete në përmirësimin e kushteve për nxënësit, përmes disa iniciativave që synojnë krijimin e një mjedisi më bashkëkohor dhe më të përshtatshëm për mësim.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, katër klasa janë pajisur me tabela digjitale, duke krijuar mundësi për një proces mësimor më modern dhe më të përshtatur me teknologjinë.
Përveç pajisjeve teknologjike, prindërit kanë dhënë kontribut edhe në krijimin dhe pasurimin e bibliotekave shkollore, si në shkollën amë në Sazli, ashtu edhe në paralelen e ndarë në Papaz.
Sipas shkollës, mbështetja e prindërve nuk është kufizuar vetëm në kontributin financiar. Ata kanë marrë pjesë edhe drejtpërdrejt në punën për realizimin dhe rregullimin e këtyre hapësirave, duke dëshmuar përfshirje të vazhdueshme në jetën e komunitetit shkollor.
Bashkëpunimi prindër–shkollë, sipas institucionit, pritet të vazhdojë edhe me iniciativa të tjera gjatë ditëve në vijim.
Një tjetër traditë e këtij komuniteti është edhe mirëseardhja që prindërit u ofrojnë nxënësve dhe stafit në fillim të çdo viti shkollor, përmes dhuratave modeste dhe gjesteve simbolike.











Nga shkolla vlerësojnë se rëndësia e këtyre kontributeve shkon përtej vlerës materiale, pasi ato dëshmojnë se bashkëpunimi i prindërve dhe shkollës mund të ndikojë drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të mira dhe më motivuese për nxënësit.
Shkolla ka ndarë edhe fotografi nga disa prej këtyre iniciativave, duke synuar që shembulli i bashkëpunimit me prindërit të shërbejë si një praktikë pozitive për komunitetin.