Kriza me mësuesit: Klasa pa mësimdhënës të rregullt, shkollat detyrohen të improvizojnë



nder titull

- Advertisement5 -

Mungesa e mësimdhënësve po krijon probleme në disa shkolla të Kosovës, duke i detyruar drejtuesit e tyre të gjejnë zgjidhje të përkohshme që nxënësit të mos mbesin pa mësim.

- paragrafi 1 -

KIKS Kosova ka evidentuar raste në Fushë Kosovë dhe Obiliq, ku mungesa e mësuesve të rregullt po mbulohet me mësues mbështetës apo me angazhimin e të njëjtëve mësimdhënës në dy ndërrime.

- Advertisement - M1

Në Aneksin 3 të shkollës fillore “Mihajl Grameno” në Fushë Kosovë mungojnë tre mësues për klasat e ciklit të ulët. Sipas informacioneve të siguruara nga KIKS Kosova, disa mësues janë larguar për t’u angazhuar në shkolla më afër vendbanimeve të tyre. Për të mos lejuar humbjen e orëve, shkolla ka angazhuar tre mësues mbështetës, ndonëse roli parësor i tyre është ofrimi i mbështetjes së përshtatur për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore dhe jo zëvendësimi i mësuesit të rregullt për një klasë të tërë.

Drejtuesit e shkollës thonë se kjo është një zgjidhje e përkohshme, e dakorduar edhe me Drejtorinë Komunale të Arsimit, deri në përfundimin e procedurave të rekrutimit. Sipas tyre, shkolla nuk ka kompetencë për punësimin e mësuesve të rinj, ndërsa konkurset zhvillohen në nivel komunal. Komuna e Fushë Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të KIKS-it se kur pritet të angazhohen mësimdhënësit e rinj.

Situatë e ngjashme është evidentuar edhe në shkollën “Ibrahim Rugova” në Obiliq, ku mungojnë të paktën dy mësimdhënës në ciklin e ulët. Atje, për të shmangur humbjen e mësimit, mësimdhënës që punojnë në ndërrimin e pasdites janë angazhuar të mbajnë mësim edhe paradite. Drejtoresha Fatmire Kastrati Mjekqi ka bërë të ditur se njëra prej mësimdhënëseve mungon për shkak të pushimit të lehonisë, ndërsa lëvizjet e tjera të stafit drejt shkollave më afër vendbanimit kanë vështirësuar sigurimin në kohë të zëvendësimeve. As Komuna e Obiliqit nuk ka kthyer përgjigje se kur pritet të sigurohen mësuesit e rregullt.

- Advertisement - m2

Praktikat e përdorura për të tejkaluar përkohësisht krizën ngrenë edhe dilema profesionale e ligjore. Eksperti i arsimit Rinor Qehaja vlerëson se mësuesit mbështetës kanë rol dhe përgatitje të ndryshme nga mësimdhënësit e rregullt dhe se përdorimi i tyre si zëvendësim nuk paraqet zgjidhjen e duhur profesionale dhe pedagogjike. Sipas tij, komunat duhet të kenë mekanizma dhe lista të gatshme për zëvendësimin e personelit, në mënyrë që mungesat të mbulohen sipas procedurave të përcaktuara.

KIKS Kosova ka kërkuar sqarim edhe nga Ministria e Arsimit nëse ekziston bazë ligjore që mësuesit mbështetës, të angazhuar për nxënësit me nevoja të veçanta, të zëvendësojnë mësuesit e rregullt të klasave. Ministria nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e storjes, duke lënë të hapur çështjen se deri ku mund të shkojnë shkollat me zgjidhjet e improvizuara përballë mungesës së mësimdhënësve.

Kronika të përgatitura nga Kiks Kosova: