Kosova bëhet anëtare e Olimpiadës Ndërkombëtare të Informatikës 



nder titull

- Advertisement5 -

Kosova bëhet zyrtarisht anëtare e International Olympiad in Informatics (IOI), njërës prej olimpiadave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e arsimit parauniversitar.

- paragrafi 1 -

Pas një procesi disavjeçar dhe disa pengesave që lidheshin edhe me statusin ndërkombëtar të Kosovës dhe mosanëtarësimin e saj në OKB dhe UNESCO, Kosova, përmes Institutit të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), ka fituar të drejtën e anëtarësimit dhe të pjesëmarrjes së rregullt në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.

- Advertisement - M1

Në procesin e pranimit, strukturat drejtuese të IOI-së kanë vlerësuar organizimin e Olimpiadës Informatike të Kosovës, duke konstatuar se ajo i përmbush standardet profesionale dhe organizative të kërkuara sipas kritereve të IOI-së.

Ky është një lajm i rëndësishëm për talentet e reja të Kosovës në informatikë dhe programim. Nga tani, nxënësit tanë do të kenë mundësi të përfaqësojnë Kosovën në skenën më të lartë ndërkombëtare të informatikës dhe të garojnë përkrah talenteve më të mira të botës.

Instituti STEM shpreh mirënjohjen e tij për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për mbështetjen e vazhdueshme në organizimin dhe zhvillimin e Olimpiadës Informatike të Kosovës.

- Advertisement - m2

Një falënderim i veçantë i drejtohet edhe kompanisë së njohur amerikane Jane Street, për mbështetjen e pakursyer dhe gatishmërinë e vazhdueshme për të ndihmuar Institutin STEM në zhvillimin e Olimpiadës së Informatikës dhe në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e talentuar të Kosovës.

Anëtarësimi në IOI përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar të olimpiadave shkencore dhe krijon perspektiva të reja për gjeneratat e ardhshme të programuesve, inxhinierëve dhe shkencëtarëve të rinj nga Kosova.