Komuna e Fushë Kosovës ka shpallur konkurs për plotësimin e 27 vendeve të punës për mësimdhënës/e në institucionet publike edukativo-arsimore dhe aftësuese të arsimit parauniversitar, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Arsim, konkursi është publikuar më 3 gusht 2026 dhe bazohet në Ligjin për Zyrtarët Publikë, Ligjin e Punës, Ligjin për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar, si dhe aktet nënligjore në fuqi që rregullojnë procedurat e rekrutimit të personelit arsimor.
Pozitat e lira përfshijnë mësimdhënës për lëndë të ndryshme, si gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë, fizikë, histori, biologji, gjeografi, TIK, ekonomi, elektroteknikë, edukatë qytetare, si dhe mësimdhënës klasor, në disa shkolla të komunës. Një pjesë e pozitave janë vende të lira të rregullta, ndërsa të tjerat janë për zëvendësim ose për periudhë të caktuar.
Në konkurs janë përfshirë shkollat SHFMU “Mihal Grameno”, SHFMU “Daut Bogujevci”, SHFMU “Bajram Curri”, SHFMU “Vëllezërit Frashëri”, SHFMU “Zejnel Salihu”, SHFMU “Selman Riza”, SHMP “Hoxhë Kadri Prishtina”, SHML “Hivzi Sulejmani” dhe SHMP “Minatori”.
Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e përgjithshme për pranimin në shërbimin publik, si dhe kriteret profesionale për secilën pozitë të shpallur.
Sipas konkursit, për vendet e lira parashihet një periudhë provuese prej gjashtë muajsh pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa kualifikimet e kërkuara ndryshojnë varësisht nga profili i pozitës.


