Një klasë e re e mësimit plotësues të gjuhës shqipe është hapur në ambientet e shkollës Rickenbacher Schule, në Rickenbach të kantonit të Lucernës, transmeton albinfo.ch.
Hapja e klasës është bërë me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, ndërsa ambasadori Ermal Dredha ka vizituar klasën dhe ka uruar nxënësit dhe mësuesen Dorentina Berisha për fillimin e këtij rrugëtimi.
Gjatë vizitës, ambasadori Dredha u ka shpërndarë nxënësve tekstet shkollore të unifikuara të Nivelit I dhe Nivelit II, të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën.
Mësimi plotësues synon të kontribuojë në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit te brezat e rinj të komunitetit shqiptar në diasporë.
Me këtë rast, Ambasada e Shqipërisë u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë në Zvicër që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe./Albinfo.ch




