Gjashtë nxënës të Gjimnazit “Eqrem Çabej”, të shoqëruar nga profesorja Shkendije Muslijaj, janë nisur për në Gjermani në kuadër të programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të shkollës, vizita synon shkëmbimin e përvojave me bashkëmoshatarë nga Gjermania dhe vende të tjera të rajonit, duke u ofruar nxënësve mundësi për të zhvilluar njohuri dhe përvoja të reja në një mjedis ndërkombëtar.
Nxënësit janë përfitues të Programit Erasmus+ dhe Programit DSD për shkëmbimin e përvojave në Gjermani. Gjimnazi “Eqrem Çabej” përfaqëson Kosovën si gjimnazi i vetëm publik në vend në Programin ZfA.
Gjatë qëndrimit pesëditor në Gjermani, nxënësit do të zhvillojnë takime pune dhe aktivitete të ndryshme me bashkëmoshatarët dhe përfaqësuesit e programeve.
Shkolla ka uruar ekipin përfaqësues për sukses në këtë vizitë dhe për përfitimin e sa më shumë përvojave të dobishme.
Në njoftim, drejtoria e Gjimnazit “Eqrem Çabej” ka shprehur mirënjohje për përkrahësit dhe donatorët e programit, përfshirë zyrtaren e Ministrisë së Arsimit të Gjermanisë, Kerstin Zielesko, si dhe Bernd Saur.