Gazmend Dërvishi është pedagog dhe koreograf nga Prizreni, i cili për më shumë se tri dekada i është përkushtuar arsimit dhe kulturës, duke dhënë një kontribut të veçantë në edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.
Gjatë karrierës së tij të gjatë në mësimdhënie, Dërvishi ka punuar me përkushtim për t’u ofruar nxënësve mundësi që, krahas dijes dhe rezultateve në procesin mësimor, të zhvillojnë dhe të shprehin edhe talentet e tyre në fushën e kulturës dhe artit.
Përveç angazhimit të tij në procesin mësimor, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore në shkollat e qytetit të Prizrenit, si dhe në aktivitete të shumta mbarëkombëtare e ndërkombëtare.
MSc. Gazmend Dërvishi është themelues dhe koreograf i Ansamblit “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, të cilin e ka udhëhequr për dy dekada. Gjatë kësaj periudhe, ansambli është bërë një nga përfaqësuesit e kulturës së Kosovës në shumë vende të botës. Më herët, Dërvishi ka qenë edhe koreograf i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren.

Një nga veçoritë më të spikatura të veprimtarisë së tij është angazhimi i vazhdueshëm në dy fusha të rëndësishme – arsim dhe kulturë. Për të, këto dy shtylla duhet të ecin së bashku, pasi përmes tyre nxënësit kanë mundësi të zhvillojnë dijen, shkathtësitë dhe talentet e tyre.
Sipas kësaj qasjeje, një nxënës nuk duhet të kufizohet vetëm te suksesi akademik, por duhet të ketë hapësirë edhe për të zbuluar dhe zhvilluar talentin e tij në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës. Pikërisht përmes këtij kombinimi, shumë të rinj kanë arritur të zhvillojnë aftësitë e tyre në vallëzim, këndim dhe fusha të tjera artistike.

Përmes udhëheqjes profesionale, punës së palodhur dhe përkushtimit ndër vite, MSc. Gazmend Dërvishi ka ndihmuar shumë të rinj që të kultivojnë talentet e tyre dhe të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore.
Me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm, Gazmend Dërvishi ka lënë gjurmë të rëndësishme në arsimin dhe kulturën e Prizrenit, duke u shndërruar në një figurë të respektuar dhe frymëzim për kolegët, nxënësit dhe komunitetin në përgjithësi. /AlbanianEducation.net