“Shkolla mes dallgëve të shoqërisë”
Në prag të fillimit të një viti të ri mësimor, përpara se të shpërndajmë urimet e zakonshme, vlen të ndalemi e të reflektojmë mbi mjedisin ku po i dërgojmë fëmijët tanë. Edukimi nuk ndodh rastësisht dhe në boshllëk. Është si një lundrim i përbashkët ku secilës pjesë të shoqërisë i kërkohet të bëjë pjesën e vet dhe duhet ta bëj shumë mirë.
Shoqëria shpesh i hedh fëmijët në dallgët e jetës me dy modele të gabuara. Ose i mban me “braciale” duke i bërë të ndihen të paaftë, ose i lë në mes të ciklonit duke pritur që të bëhen “të zotët e vetes”.
Në të dyja rastet, gabimin e fshehim dhe ia faturojmë shkollës si “hallkën e dobët të edukimit”. Por shkolla nuk është thjesht një vend ku mësohet alfabeti i edukatës, ajo është laboratori ku fëmijët provojnë të jenë krijues dhe të mendojnë në mënyrë kritike që më pas të jenë të aftë të përballojnë situata reale. Problemi është se shkolla sot shumë shpesh mbetet e vetme, e goditur nga suferina e tranzicioneve pa fund, ndërsa ne i kërkojmë më shumë se ç ‘japim.
Prindërit, të cilët shpesh e kritikojnë pa mëshirë, edhe kur nuk kanë të drejtë, harrojnë se dashuria e tepërt është si një ombrellë e mbajtur gjithmonë hapur nga ata dhe fëmija nuk mëson kurrë të ecë në shi.
Nga ana tjetër, media e përdor shkollën si “mish për top”, për klikime, duke prerë degën ku qëndron edhe vetë. Në vend që të ndihmojë, shpesh e shndërron problemin në spektakël absurd.
Po, po, se humori i hidhur me titujt bombastikë, zhurmat dhe berihaja shet më shpejt e më shumë se librat e nxënësve.
Kur media jo vetëm harron të edukojë, por e bën edhe me qëllim këtë, ajo kthehet në pasqyrë që shtrembëron fytyrën e shoqërisë.
Ndërkohë, shteti … ah shteti … shpesh krijon mirazhe imazhi. Shteti që lyen fasadën e shkollës për kamerat, por harron se themelet po i tunden. Ndryshon ligje, udhëzime, nxjerr rregullore mbi rregullore e përsëri duket se bëjmë notin e të vdekurit.
Ndërsa intelektualët flasin me zë aq të ulët sa nuk i dëgjon as ndërgjegjja e tyre. E dinë terapinë, por e lënë trupin të vdesë ngadalë duke e parë këtë rrënim si spektatorë të lodhur. Ka dhe nga ata intelektualë që përdorin më shumë fjalë sesa është e nevojshme për të treguar më shumë sesa dinë d.m.th., janë ata pseudo‑intelektualët si oratorët pa busull që flasin gjatë, por nuk tregojnë asgjë.
Në këtë tallaz social, fëmija rrezikon të mbytet. Dhe kur mbytet fëmija, bashkë me të mbytet edhe shoqëria.
Të kuptohemi, fëmija është si një varkë që mund të mësojë të lundrojë, nëse ne i japim busullën e duhur.
Shkolla është ajo busull, por ajo nuk mund të funksionojë e vetme. Duhet ta mbështesim, jo ta godasim pa mëshirë. Sepse fëmija nuk ka faj nëse dallgët janë të mëdha, por ka nevojë për një shoqëri që i jep drejtim dhe shpresë.
Le të shërbejnë këto mendime si llambushka kujtese për të gjithë ne, e jo si gurë në qafën e arsimit.
E mbyllaaa!
Gëzuar Vitin e Ri Shkollor!
Uroj nga zemra: me të mirat çdo mësuesi e drejtuesi që me durim e përkushtim ndezin dritë në mendjet e reja, çdo nxënësi që ulet në bankë me kuriozitet e ëndrra, dhe çdo prindi që beson tek e ardhmja më e mirë e fëmijës së vet.
Një urim i veçantë shkon për më të vegjlit, që hapin derën e diturisë për herë të parë, si dhe për ata që ndryshojnë shoqërinë e klasës sepse kalojnë nga një cikël në tjetrin
Le të notojmë, të bashkëpunojmë dhe të përballojmë sfidat së bashku!