Një botim i ri edukativ synon t’i afrojë nxënësit me pasurinë natyrore dhe botën shtazore të Kosovës.
Bëhet fjalë për librin “Fauna e Kosovës – Klasa 8”, të cilin autori, mësuesi Bujar Krasniqi, e ka përgatitur me qëllim që nxënësit të njihen më nga afër me llojet e shtazëve, habitatet e tyre dhe rëndësinë e tyre për ekosistemet dhe biodiversitetin.
Autori është mësimdhënës në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë:
Postimi i tij:
Falënderimi i takon Zotit të Madhëruar, i Cili na ka dhuruar natyrën, jetën dhe gjithë këtë pasuri të mrekullueshme që na rrethon. Çdo krijesë e gjallë është pjesë e një ekuilibri të çmuar natyror dhe njohja, vlerësimi dhe mbrojtja e kësaj pasurie është përgjegjësi e të gjithëve.
Me shumë përkushtim dhe dashuri për natyrën, sot prezantohet libri “Fauna e Kosovës – Klasa 8”, një vepër e kushtuar njohjes së botës shtazore dhe pasurisë së jashtëzakonshme natyrore të Kosovës.
Ky libër është përgatitur me qëllim që nxënësit të njihen më nga afër me faunën e vendit tonë, me llojet e ndryshme të shtazëve dhe me rëndësinë që ato kanë për ekosistemet dhe biodiversitetin. Përmes fotografive, përshkrimeve dhe përmbajtjes edukative, libri synon ta afrojë nxënësin me natyrën dhe ta nxisë atë të vëzhgojë, të hulumtojë dhe të mësojë për botën e gjallë.
“Fauna e Kosovës” nuk është vetëm një libër për të mësuar, por edhe një ftesë për ta njohur më mirë vendin tonë. Kosova, edhe pse një territor i vogël, karakterizohet nga një pasuri e madhe natyrore, me male, pyje, lumenj, livadhe dhe habitate të ndryshme ku jetojnë shumë lloje shtazësh.
Ky botim është një përpjekje për t’u ofruar nxënësve një material të dobishëm dhe tërheqës për njohjen e faunës së Kosovës, duke e lidhur dijen shkollore me natyrën dhe realitetin që na rrethon.#FaunaeKosoves8 #Libërkreativ #NjiheFaunen #Kosova #RuajeFaunën #Eksploronatyren #Edukimmbimjedisin.
Ta njohim, ta vlerësojmë dhe ta mbrojmë faunën e Kosovës!
Msc. Bujar Krasniqi
Autor