Estela Brazhda ka përmbyllur me sukses studimet në degën e Stomatologjisë në Universitetin Aldent, duke përfunduar vitin e pestë së bashku me mbrojtjen e temës së diplomës, e cila është vlerësuar me notën maksimale.
Gjatë rrugëtimit të saj akademik, ajo ka qenë gjithashtu pjesë e programit Erasmus+, përmes të cilit fitoi një bursë për të zhvilluar një internship dy-mujor në Universitetin e Shkencave Shëndetësore të Lituanisë (LSMU) në Kaunas.
Në kuadër të këtij shkëmbimi akademik, Estela Brazhda u angazhua në Departamentin e Ortodoncisë, ku pati mundësinë të avancojë njohuritë dhe aftësitë praktike në diagnostikimin, planifikimin dhe trajtimin ortodontik. Gjatë praktikës, ajo punoi edhe me teknologji bashkëkohore, përfshirë skanerët intraoralë 3D dhe sisteme të tjera të avancuara digjitale që përdoren në stomatologjinë moderne.

Përveç përfitimeve profesionale, përvoja në Kaunas i mundësoi asaj të njihej me kultura të ndryshme, të krijonte miqësi ndërkombëtare dhe të forconte aftësitë e komunikimit dhe bashkëpunimit me studentë dhe profesionistë nga vende të ndryshme.
Suksesi i Estela Brazhdës përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike dhe një shembull të vlerës së programeve ndërkombëtare të mobilitetit në përgatitjen profesionale të studentëve shqiptarë.