Një tjetër sukses i një studenteje shqiptare në arenën ndërkombëtare vjen nga Mbretëria e Bashkuar. Erblina Bunjaku ka përfunduar me sukses studimet BSc Honours në Matematikë në Universitetin e Edinburgut (The University of Edinburgh), një nga universitetet më prestigjioze në botë, shkruan AlbanianEducation.net.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi akademik.
“Faleminderit Zotit, familjes, profesorëve, këshilltarëve dhe shoqërisë. Përherë mirënjohëse”, ka shkruar ajo.
Në mesazhin e saj nuk mungoi as një dedikim emocionues për vendlindjen, duke cituar vargjet:
“Mos qoftë atdheu i ngrohtë si diell, s’kanë pse i duhen diplomat e mia.”
Diplomimi në programin BSc Honours në Matematikë në Universitetin e Edinburgut përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike dhe dëshmon përkushtimin, punën dhe angazhimin e vazhdueshëm në një nga fushat më sfiduese të shkencës.
Ky sukses është një tjetër shembull i arritjeve të studentëve shqiptarë në universitetet më të njohura ndërkombëtare, duke promovuar vlerat e dijes dhe përfaqësimit dinjitoz në arenën globale.