Ish-drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova Baci, ka ngritur shqetësimin për mungesën e ditarëve në shkollat e vendit, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Përmes një reagimi, Kumnova Baci ka kritikuar vonesat në proceset që lidhen me përgatitjet për vitin e ri shkollor, duke theksuar se, krahas subvencionimit të teksteve shkollore, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe sigurimit të ditarëve për mësimdhënësit.
Sipas saj, shkollat ende nuk janë pajisur me ditarë, gjë që, sipas saj, mund të krijojë vështirësi në organizimin dhe dokumentimin e punës së mësimdhënësve në ditët e para të vitit shkollor.
“Viti shkollor nuk fillon vetëm me nxënësit në banka. Ka një sërë procedurash dhe dokumentesh që duhet të jenë gati me kohë, ndërsa ditari është një nga mjetet bazë të punës së mësimdhënësit”, ka shkruar ajo.
Kumnova Baci ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të sqarojë arsyet e vonesës dhe të tregojë se kur pritet të bëhet furnizimi i shkollave me ditarë.
“MASHTI duhet të japë përgjigje: Pse shkollat ende nuk i kanë ditarët dhe kur pritet të furnizohen?”, ka theksuar ajo.
Në reagimin e saj, ish-drejtoresha e Arsimit në Gjakovë ka vlerësuar se përgatitjet për fillimin e vitit shkollor kërkojnë planifikim dhe organizim në kohë, në mënyrë që institucionet arsimore dhe mësimdhënësit të mos përballen me vështirësi në ditët e para të procesit mësimor.