Eralda Cuko: Edukimi nis në shtëpi, aty ku formohen vlerat



nder titull

- Advertisement5 -

U rrita aty ku servireshin vlerat dhe edukimi…

- paragrafi 1 -

Qysh në zanafillën e jetës sime, u rrita mes vlerave dhe edukimit. Para librave dhe shkollês ajo që më mësoi ishte shtëpia. Ajo ishte shkolla ime e parë, ku buka ndahej me dashuri dhe mirësia ishte primare.

- Advertisement - M1

Ende më kujtohet tryeza e drunjtë në kuzhinë, e lëmuar nga duart dhe vitet, ngrohtësia e bukës së sapopjekur që mbushte dhomën me aromë dhe zhurma e lugëve që përplaseshin lehtë me pjatat, si një muzikë e përditshme familjare. Në respektin ndaj të tjerëve dhe në fjalët e matura, mësova se dinjiteti fshihet edhe në gjestet më të vogla.

Shtëpia më mësoi të dëgjoja, të ndihmoja pa kërkuar shpërblim dhe të qëndroja pranë familjes në ditë të vështira. Në mbrëmje dimri, kur shiu trokiste mbi çati dhe xhamat mjegulloheshin nga ngrohtësia, nëna na mblidhte pranë sobës dhe na ndante çajin në filxhanë të vegjël. Avulli ngrihej ngadalë, duke u tretur në ajër si një frymë e butë.

Ajo buzëqeshte qetë, edhe pse dita i kishte rënduar mbi supe, dhe unë kuptova se dashuria shpesh shfaqet në kujdeset më të thjeshta. Këshillat, sakrificat dhe heshtjet e prindërve u bënë gurët e themelit të karakterit tim…

- Advertisement - m2

Aty kuptova se njeriu formohet më shumë nga ajo që përjeton sesa nga ajo që lexon. Shtëpia më dha rrënjë të thella për të mos u rrëzuar dhe krahë për të ecur përpara.

Edhe sot, në çdo zgjedhje, dëgjoj zërin e saj: të qetë, të ngrohtë, të palëkundur, si një emblemë që më udhëheq në heshtje…