Gjimnazi “Zenel Hajdini” ka mirëpritur në ambientet e tij ekspertin e arsimit, Xhavit Rexhaj, me të cilin janë zhvilluar diskutime rreth punës së shkollës, sfidave të arsimit dhe mundësive për zhvillim të mëtejshëm.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e gjimnazit e kanë njoftuar Rexhajn me historikun e shkollës, aktivitetet e zhvilluara dhe angazhimin e stafit në funksion të nxënësve.
Sipas njoftimit të shkollës, gjatë bashkëbisedimit është diskutuar për misionin e institucionit arsimor, rëndësinë e krijimit të një mjedisi të përshtatshëm për nxënësit dhe rolin e shkollës në formimin e brezave të rinj.
Në fokus të diskutimit kanë qenë edhe sfidat me të cilat përballet procesi arsimor, zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësimdhënësve, përmirësimi i praktikave të mësimdhënies dhe përshtatja e shkollës me nevojat dhe ndryshimet e kohës.
Shkolla e ka vlerësuar vizitën si një mundësi për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe pikëpamjeve rreth arsimit dhe zhvillimit të institucionit.
Në fund, Gjimnazi “Zenel Hajdini” ka falënderuar Xhavit Rexhajn për vizitën dhe bashkëbisedimin, duke theksuar rëndësinë e takimeve të tilla në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe vendosjen e nxënësit në qendër të procesit edukativo-arsimor.