Rezultatet e Kosovës në PISA 2025 kanë rikthyer vëmendjen te sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor, ndërsa kërkohet më shumë angazhim i përbashkët për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Drejtori i Teach For Kosova, Egzon Gashi, i ka cilësuar rezultatet e Kosovës si shqetësuese, duke thënë se ato duhet të shërbejnë si një thirrje për ndryshim dhe angazhim më të madh nga të gjithë aktorët e shoqërisë, shkruan AlbanianEducation.
“Rezultatet e Kosovës në PISA janë të turpshme për të gjithë ne që jemi pjesë e komunitetit arsimor”, ka shkruar Gashi, duke shtuar se edhe vetë ndjen përgjegjësi për të kontribuar në përmirësimin e kësaj gjendjeje.
Sipas tij, duhet të ngrihen pyetje serioze për efektivitetin e sistemit arsimor, veçanërisht në rastet kur nxënësit përfundojnë vite të tëra në shkollë pa arritur aftësitë bazë të nevojshme për jetën.
Gashi ka vlerësuar punën e mësimdhënësve, shkollave dhe organizatave që, sipas tij, po punojnë çdo ditë për të ndryshuar këtë realitet. Megjithatë, ai thekson se përpjekjet e izoluara nuk janë të mjaftueshme përballë përmasave të sfidave në arsim.
Sipas tij, ndryshimi mund të arrihet vetëm kur arsimi cilësor të bëhet kërkesë e vazhdueshme e shoqërisë, ndërsa prindërit, të rinjtë, bizneset dhe institucionet duhet të kërkojnë rezultate dhe llogaridhënie për zotimet e marra.
Gashi ka theksuar gjithashtu se fokusimi vetëm te gjetja e fajtorëve nuk e zgjidh problemin.
“Përparimi kërkon një përpjekje sistematike, me synime të përbashkëta, mbështetje për mësimdhënësit, vlerësim të ndershëm të asaj që po mësojnë fëmijët dhe vazhdimësi përtej mandateve politike”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka thënë se rezultatet e PISA-s duhet të shërbejnë si motivim për të intensifikuar përpjekjet në fushën e arsimit.
“Fëmijët që janë sot në shkollë kanë vetëm një fëmijëri dhe çdo vit që humbim ne, e paguajnë ata”, ka përfunduar Gashi.