Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rahovecin, ku një i mitur është gjetur i plagosur me armë zjarri në fshatin Bellacerkë dhe më pas ka humbur jetën.
Viktima është Blenis Burim Gashi, nga fshati Fortesë. Në njoftimin mortor të familjes thuhet se i riu ka humbur jetën aksidentalisht dhe në moshë shumë të re.
Policia është njoftuar rreth orës 20:35 për një të mitur të gjetur të shtrirë, me plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i mituri është dërguar për trajtim mjekësor. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, është konstatuar vdekja e tij.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur ngushëllime për familjen Gashi pas vdekjes tragjike të 16-vjeçarit, Blenis Gashi nga Fortesa.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka shprehur dhimbjen për humbjen e të riut, duke theksuar se Blenisi sapo ishte regjistruar në shkollën e mesme të mjekësisë dhe kishte ëndrra e plane për të ardhmen.
“Një jetë e re, e ndërprerë shumë herët”, ka shkruar Latifi.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes Gashi, të afërmve, shokëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur 16-vjeçarin.
“Ngushëlloj përzemërsisht familjen Gashi, të afërmit, shokët dhe të gjithë ata që e njohën Blenisin! Blenisi, pushoftë në paqe!”, ka shkruar Latifi.