Tre nxënës nga fshati Semetisht i Komunës së Suharekës kanë shënuar një sukses të veçantë në arenën ndërkombëtare të matematikës.
Habibe Bytyqi, Ledion Bytyqi dhe Lediona Bytyqi, vëlla e motra, janë vlerësuar me çmimin Honorable Mention (Përmendje Nderi) në finalen ndërkombëtare të Thailand International Mathematical Olympiad (TIMO), një garë prestigjioze e matematikës ku marrin pjesë nxënës nga vende të ndryshme të botës.
Për shkak të pamundësisë për të udhëtuar drejt Azerbajxhanit, si pasojë e mos pajisjes me viza, tre nxënësit nuk patën mundësi të ishin fizikisht të pranishëm në finale. Megjithatë, kjo pengesë nuk i ndali ata që të merrnin pjesë në garë.
Falë mundësisë së ofruar nga TIMO Olympiad dhe Kosova Global Talent Center, Habibe, Ledioni dhe Lediona garuan online, duke dëshmuar njohuritë, talentin dhe përkushtimin e tyre në fushën e matematikës.
Ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme për tre të rinjtë nga Semetishti, të cilët me suksesin e tyre dëshmuan se talenti dhe puna e palodhur mund të kapërcejnë edhe pengesat më të mëdha.

Arritja e tyre është një shembull frymëzues për bashkëmoshatarët dhe një dëshmi se talentet e reja nga Kosova mund të përfaqësojnë me dinjitet vendin në gara ndërkombëtare.
Urime Habibes, Ledionit dhe Ledionës për këtë sukses të merituar! Urojmë që kjo të jetë vetëm njëra nga shumë arritje të tjera që do t’i shoqërojnë në rrugëtimin e tyre akademik.