A ËSHTË HARRUAR ARSIMI?!
Kosova po hyn në javën e dytë të vitit shkollor 2026/27, ndërsa institucionet tona vazhdojnë të merren me numra, kalkulime dhe pazare politike për sigurimin e votave për zgjedhjen e Presidentit e më pas edhe të Qeverisë.
Por, në gjithë këtë vorbull politike, duket se dikush ka harruar një gjë shumë të rëndësishme:
SHKOLLAT KANË FILLUAR!
Nxënësit janë në banka.
Mësimdhënësit janë në klasa.
Prindërit presin rezultate.
Ndërsa ditarët shkollorë ende nuk kanë arritur në shkolla!
Mësimdhënësit detyrohen të shënojnë të dhënat dhe punën e tyre në fletore personale, duke improvizuar për një proces që duhej të funksiononte normalisht që nga dita e parë e mësimit.
Kjo nuk është thjesht mungesë e disa ditarëve.
Kjo është një simptomë e një qasjeje institucionale ku arsimi shpesh kujtohet vetëm kur duhet të bëhen deklarata për reforma dhe suksese.
Si mund të flasim për një arsim modern, për digjitalizim, standarde evropiane dhe përgatitje të gjeneratave të reja, kur nuk arrijmë të sigurojmë në kohë as mjetet themelore administrative të shkollës?!
Politikanët mund të presin edhe një votë, edhe një marrëveshje, edhe një kalkulim tjetër.
Fëmijët tanë nuk mund të presin!
Çdo ditë e humbur, çdo neglizhencë dhe çdo papërgjegjësi institucionale reflektohet drejtpërdrejt në shkollë.
Prandaj, përtej politikës dhe interesave të pushtetit, sot duhet të shtrohet një pyetje shumë më e rëndësishme:
KUSH PO MERRET ME ARSIMIN E FËMIJËVE TANË?!
Presidenti do të zgjidhet.
Qeveria do të formohet.
Por e ardhmja e Kosovës po rritet sot nëpër shkolla.
Dhe ajo e ardhme meriton shumë më tepër seriozitet!
Ku po shkojmë kështu?!