Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka vazhduar vizitat në terren në institucionet arsimore të kryeqytetit, duke vizituar këtë herë shkollën “Emin Duraku”, të cilën e vlerësoi si një model të mirë të organizimit dhe funksionimit të shkollës.
Elshani tha se në këtë shkollë ka gjetur një ambient që reflekton rregull, kujdes dhe përgjegjësi në punë, duke theksuar se drejtimi i mirë i institucionit vërehet në çdo detaj.
Sipas tij, Drejtoria e Arsimit do të vazhdojë të jetë pranë shkollave për t’i mbështetur në zhvillimin e tyre, ndërsa një vizion i qartë i udhëheqjes krijon hapësirë edhe për përfshirjen e donatorëve në projekte që përmirësojnë kushtet për nxënësit.
Postimi i tij i plotë:
Sot vizitat në terren e vazhdova në shkollën “Emin Duraku” pashë një shkollë që të bën me u ndje mirë.
Ka rregull, ka kujdes dhe mbi të gjitha ka njerëz që e marrin me përgjegjësi punën e tyre. Drejtimi i mirë i shkollës shihet në çdo detaj.
Edhe Drejtoria e Arsimit është aty për ta mbështetur, ndërsa kur shkolla ka një vizion të qartë, edhe donatorët bëhen pjesë e këtij rrugëtimi.
Një shkollë përparon kur drejtori, mësimdhënësit, komuna, prindërit dhe komuniteti punojnë bashkë.
Shkolla “Emin Duraku” është shembull i mirë se si arrihet kjo.
Kryeqyteti Prishtina
Drejtoria e Arsimit