Drejtoresha Fahrije Latifi Retkoceri: Nuk jam e befasuar nga rezultatet e PISA-s – jam e shqetësuar



nder titull

- Advertisement5 -

Shkrim nga drejtoresha Fahrije Latifi Retkoceri – pas publikimit të rezultateteve të testit PISA ku Kosova sërish “ngeli”.

- paragrafi 1 -

PISA 2025 – KU JEMI DHE KU DO TË ARRIJMË?!

- Advertisement - M1

“Si është arsimi sot, është shteti nesër.” – Tony Blair
Nuk jam e befasuar nga rezultatet e PISA-s. Jam e shqetësuar. Dhe këtë nuk po e them si dikush që e sheh arsimin nga jashtë. Po e them si drejtoreshë shkolle, si profesioniste dhe si dikush që është çdo ditë brenda proceseve arsimore, që e sheh nga afër se çfarë po ndodh me nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe institucionet tona.

PISA është pasqyra. Por para se ta fajësojmë pasqyrën, duhet të shikojmë çfarë kemi ndërtuar përpara saj. Përderisa në sistemin tonë i padituri shpesh vlerësohet, ndërsa i dijshmi bëhet “problem” vetëm pse kërkon standarde; përderisa nxënësi që punon dhe përmbush kriteret nuk merr gjithmonë mbështetjen që meriton; përderisa prindi ndonjëherë thotë “mos ma lodhni fëmijën me kritere e ngarkesë”; përderisa mësimdhënësi profesionist përballet me presione; përderisa drejtori i shkollës zhvishet nga kompetencat dhe njëkohësisht i kërkohet llogari për gjithçka; përderisa vendimmarrja ndikohet nga interesa politike, personale apo të momentit; dhe përderisa njerëzit vendosen në pozita pa u pyetur sa përvojë, profesionalizëm dhe rezultate kanë – si mund të presim rezultate ndryshe?

Dhe më e dhimbshmja është kjo: fëmijët tanë nuk janë problemi. Ata janë të zgjuar, kreativë, të aftë dhe kanë potencial të jashtëzakonshëm. Çdo fëmijë është i çmuar dhe meriton dashuri, përkrahje, mundësi të barabarta dhe arsim cilësor. Por përkrahja nuk do të thotë të heqim dorë nga kriteret. Çdo nxënës duhet të vlerësohet me drejtësi, sipas dijes, përkushtimit, punës dhe arritjeve të tij. Fëmijët nuk kanë nevojë për privilegje; kanë nevojë për mundësi.

- Advertisement - m2

Një sistem i dobët mund ta lodhë edhe fëmijën më të talentuar, t’ia humbë motivimin dhe t’i mësojë se suksesi nuk vjen nga puna dhe dija, por nga rruga më e lehtë. Dhe atëherë lind pyetja: Pse të punoj? Pse të mësoj? Pse të zgjedh një shkollë me kritere? Pse të ngarkohem, kur mund ta arrij të njëjtin rezultat pa shumë mund? Kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

KEMI NJË SHKOLLË QË KA TREGUAR SE MUNDET. Gjimnazi i Specializuar Matematikor. Në PISA 2022, nxënësit e këtij institucioni arritën rezultate jashtëzakonisht të larta në matematikë dhe shkenca. Jemi të bindur se edhe në PISA 2025 do të dëshmojmë përsëri se kur punohet me standarde, përkushtim dhe kritere, rezultatet vijnë. Ky nuk duhet të jetë një fakt që harrohet. Duhet të jetë shembull. Kur një institucion vendos kritere, punon me përkushtim, kërkon nga nxënësi, kërkon nga mësimdhënësi dhe ndërton kulturë pune, rezultati vjen.

Por çfarë bëmë me këtë shembull? A e mbështetëm? A e promovuam? A e përdorëm si model për të ngritur standardin e arsimit në vend? Fatkeqësisht, jo aq sa duhej. Madje shpesh ndodh e kundërta: institucioni që kërkon standarde duhet të luftojë për të mbijetuar brenda një sistemi që duhet ta mbështesë.

Prandaj, mjaft me deklarata. Na lini të punojmë. Na lini profesionistët të bëjmë punën tonë. Na lini drejtorët të drejtojnë, mësimdhënësit të mësojnë dhe nxënësit të vlerësohen sipas dijes dhe meritës. Na lini të zbatojmë ligjin dhe kriteret. Na jepni kushte dhe motivim. Na kërkoni llogaridhënie dhe përgjegjësi. Dhe pastaj kërkoni rezultate.
Por një arsim cilësor nuk ndërtohet vetëm me kërkesa ndaj shkollës. Ndërtohet edhe me investim.

Investimi në shkollë nuk është shpenzim. Është pasuri shtetërore.
Investimi në mësimdhënësin, në drejtorin, në nxënësin, në laboratorë, teknologji, biblioteka, hapësira mësimore dhe në zhvillimin profesional është investim në kapitalin njerëzor të vendit.

Prandaj duhet motivim financiar dhe profesional për mësimdhënësit dhe drejtorët, kushte dinjitoze pune dhe mundësi reale për zhvillim e avancim profesional. Një profesion që mban mbi supe të ardhmen e një shoqërie nuk mund të trajtohet si një profesion i zakonshëm.
Sa më shumë të investojmë në arsim, aq më shumë investojmë në ekonominë e vendit.
Shkolla nuk prodhon vetëm nota dhe diploma. Shkolla prodhon njerëz të aftë për jetë, për punë, për shkencë, për inovacion dhe për zhvillim shtetëror.

Një nxënës i mirëarsimuar nesër bëhet profesionist, shkencëtar, mjek, inxhinier, mësimdhënës, sipërmarrës, udhëheqës. Pra, ajo që investojmë sot në një bankë shkolle, nesër kthehet në zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe forcë për shtetin.
Prandaj arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar, jo interes i ditës.

Sepse kompetenca pa autoritet është vetëm përgjegjësi pa mundësi veprimi. Drejtori nuk duhet të jetë postier i sistemit. Mësimdhënësi nuk duhet të jetë objekt presioni. Nxënësi nuk duhet të jetë viktimë e standardeve të dyfishta. Diploma nuk duhet të jetë rezultat i ndërhyrjeve, por i punës, dijes dhe meritës.

Merita duhet të jetë meritë.
Dija duhet të jetë vlerë.
Puna duhet të shpërblehet.
Përgjegjësia duhet të kërkohet.

Çfarë na duhet? Profesionalizëm. Motivim. Llogaridhënie. Përgjegjësi. Kritere. Investim. Dhe mbi të gjitha, duar të lira për profesionistët.

Pa ndërhyrje politike. Pa interesa personale. Pa standarde të dyfishta.
Sepse shkolla nuk është grumbull votash. Shkolla është vendi ku ndërtohet e ardhmja e shtetit.

Nëse duam një shtet të fortë nesër, duhet të ndërtojmë një arsim të fortë sot.
Dhe si dikush që është pjesë e këtij sistemi, që e jeton dhe e udhëheq çdo ditë një institucion arsimor, kam vetëm një kërkesë: mos na pengoni të bëjmë punën për të cilën jemi profesionistë.

Na jepni mundësinë. Na kërkoni përgjegjësi. Na vlerësoni sipas rezultateve. Na motivoni. Investoni në institucionet tona. Dhe na lini të punojmë.

Sepse guximin e kemi. E kemi ne, profesionistët që jemi çdo ditë në procese, që punojmë me nxënës, që udhëheqim shkolla, që përballemi me problemet reale dhe që e dimë se ku janë sfidat dhe ku janë mundësitë.

Por shpesh problemi është se pikërisht ne që jemi brenda proceseve, që e njohim arsimin nga afër dhe që kemi përgjegjësi profesionale, mbahemi anash kur vjen koha për të marrë vendime.

Flitet shumë për shkollën, por shumë pak me shkollën. Flitet për drejtorët, por jo gjithmonë dëgjohen drejtorët. Flitet për mësimdhënësit, por jo gjithmonë dëgjohen mësimdhënësit.

Mos e ndërtoni arsimin pa ata që e ndërtojnë çdo ditë.
Mos kërkoni rezultate nga ata të cilëve nuk ua dëgjoni zërin. Mos kërkoni përgjegjësi pa dhënë kompetenca. Mos kërkoni cilësi pa krijuar kushte.

Ne nuk kërkojmë privilegje.
Kërkojmë besim, kompetencë, përgjegjësi, motivim dhe mundësi për të vepruar profesionalisht.
Dhe atëherë, besoj, nuk do të flasim vetëm për rezultate më të mira në PISA.

Do të flasim për një arsim më të mirë, për njerëz më të aftë, për një ekonomi më të fortë dhe për një shtet më të zhvilluar.
Sepse arsimi nuk ndryshohet nga ata që vetëm flasin për të.

Arsimi ndryshohet nga ata që e njohin, e udhëheqin, e jetojnë dhe kanë guximin ta përmirësojnë.
Ne, profesionistët, guximin e kemi. Tani duhet ta ketë edhe sistemi.