Shkolla “Migjeni” në Stanoc të Epërm është përzgjedhur për të marrë pjesë në pilotimin e Teksteve Shkollore Digjitale të Qasshme (Accessible Digital Textbooks – ADT), një nismë inovative që synon avancimin e transformimit digjital të arsimit në Kosovë.
Sipas njoftimit të drejtoreshës së shkollës, Ardita Shala Bekteshi, kjo shkollë është njëra nga vetëm katër shkollat e përzgjedhura në Komunën e Vushtrrisë, në kuadër të projektit të zbatuar nga institucionet përkatëse në bashkëpunim me UNICEF Kosovo.
Projekti, i iniciuar nga UNICEF Learning Innovation Hub në Helsinki, synon të avancojë përdorimin e materialeve mësimore moderne, interaktive dhe të qasshme për të gjithë nxënësit.
Përzgjedhja e ShFMU “Migjeni” shihet si një vlerësim i përkushtimit të shkollës ndaj cilësisë në arsim, inovacionit dhe përfshirjes së teknologjisë në procesin mësimor.
Drejtoresha e shkollës ka shprehur krenarinë që ShFMU “Migjeni” do të jetë pjesë e kësaj nisme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të arsimit digjital në Kosovë.
Në fund, ajo ka falënderuar institucionet dhe UNICEF-in për besimin e dhënë, si dhe Komunën e Vushtrrisë dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit për profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm.