Disa nxënës në Shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë nuk kanë mbajtur mësim qe dy javë



nder titull

- Advertisement5 -

Mungesa e mësimdhënësve në disa klasë të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë i ka lënë pa mësim disa nxënës, ndonëse ka filluar java e tretë e vitit të ri shkollor.

- paragrafi 1 -

Shkolla “Prenk Jakova” nuk i ka 6 mësimdhënës për të zhvilluar mësim: dy mësimdhënës të violinës, një mësimdhënës të kontrabasit, një të perkusionit, një të pianos, një të valles popullore.

- Advertisement - M1

KALLXO.com pasi e ka konfirmuar rastin zyrtarisht e ka njoftuar Inspektoratin e Arsimit dhe përmes burimeve në Ministri të Arsimit merr vesh se një ekip i inspektorëve është angazhuar për të nisur inspektimin në Shkollën “Prenk Jakova”.

Prindërit kanë deklaruar për KALLXO.com se ndihen të shqetësuar për këtë situatë pasi fëmijët e tyre nuk janë duke ushtruar mjaftueshëm dhe në mënyrë të duhur instrumentet muzikore, duke qenë se nuk janë duke mbajtur mësim në shkollë.

Arianit Elshani, drejtor i Arsimit i Komunës së Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se ka mësimdhënës që kanë dhënë dorëheqje nga puna në Shkollën “Prenk Jakova” në shtator pasi janë angazhuar në Filharmoni të Kosovës.

- Advertisement - m2

“Arsyeja e dytë është çështja e konkurrimit, pra kriteret aktuale, të cilat janë të përcaktuara për të qenë mësimdhënës në kuadër të “Prenk Jakovës”, janë kritere të cilat nuk munden me u respektu prej shumicës së aplikantëve. Në këtë rast, në disa prej pozitave që i kemi shpallë kemi pasur mungesë të kandidatëve” – tha Elshani më 15.09.2026.

Arta Avdiu, një nënë që i ka dy fëmijë në Shkollën “Prenk Jakova”, ka deklaruar për KALLXO.com se e ka kontaktuar përmes mesazhit drejtorin Arianit Elshani por nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga ai për këtë rast.

E po ashtu ka shkuar në zyre të drejtorisë së shkollës për t’u interesuar dhe sipas saj i kanë thënë se po presin përgjigje nga Komuna.

“Qe dy javë fëmija im nuk ka orë të violinës në “Prenk Jakova”. Kjo është totalisht papërgjegjësi… Ka filluar tash edhe një mosinteresim i fëmijëve sepse janë në moshën më të ndjeshme dhe në momentin që ata e shohin një neglizhim të institucioneve arsimore për me ua ofru çka është dashur t’u ofrohet, deri në klasën e gjashtë ka shkuar krejt korrekt, e tash jo vallah s’po kemi mësimdhënës, s’ka pikë logjike kjo.” – tha Avdiu.

Avdiu tha se po mundohet si prind që ta udhëzojë fëmijën e saj përmes internetit se çka të ushtrojë në violinë në mënyrë që mos t’i lërë anash ushtrimet.

“Kur ka qenë mësuesja normal që jipen detyrat edhe i kryen detyrat. Po, kur ia jap veç unë edhe nuk e di ajo a është kjo detyra që duhet me mësu për klasën e gjashtë krijohet njëfarë hutie se unë s’po di edhe çka me i dhanë detyra për me mësu për klasën e gjashtë për violinë.” – ka treguar ajo.

Një prind tjetër që po ashtu e ka fëmijën në njërën nga këto klasë pa mësimdhënës në Shkollën “Prenk Jakova” ka deklaruar për KALLXO.com se nga kjo situatë po pësojnë fëmijët.

“Janë mbetë pa mësimdhënës për momentin edhe nuk kanë fillu vitin shkollor. Është java e tretë që nuk e kanë fillu procesin mësimor. Normal që ndikon negativisht duke e ditë që mësimi duhet të fillojë prej 1 shtatorit… Mendoj që një muaj është jashtëzakonisht i madh për me e humb një nxënës mësim” – ka thënë prindi.

Prindi ka thënë se fëmija i tij po interesohet dhe pyet se kur do të fillojnë mësimin.

“Ushtron, ka mundësi, por normal është e paraparë që duhet me mësues me ushtru në klasë. Nuk ushtron rregullisht sikurse kur është në shkollë, se normal i jep instruksionet mësuesi edhe në bazë të tyre vazhdon edhe në shtëpi. Kjo po e penalizon” – ka treguar prindi.

Driton Saqipi, ushtrues i detyrës së drejtorit në Shkollën “Prenk Jakova”, ka deklaruar për KALLXO.com se kanë bërë kërkesë me kohë në Drejtori Komunale të Arsimit për mësimdhënësit që u nevojiten.

Sipas Saqipit, në konkursin e hapur nga Komuna e Prishtinës, një nga kriteret kryesore ka qenë posedimi i diplomës së masterit në drejtimin përkatës, por profesorët që i kanë aktualisht nuk e plotësojnë këtë kriter.

Saqipi ka sqaruar se këtë vit klasa e perkusionit dhe kontrabasit janë drejtime që i kanë për herë të parë. Ndërsa, secila klasë që aktualisht nuk ka mësimdhënës në Shkollën “Prenk Jakova” tha se i ka nga 13, 17 nxënës.

“Sa i përket orëve të humbura, besojmë se ato do të mund të zëvendësohen gjatë gjysmëvjetorit të parë. Për këtë çështje kemi bërë edhe kërkesë urgjente pranë DKA-së, mirëpo deri më tani nuk kemi marrë një përgjigje të saktë se kur pritet të fillojnë profesorët e rinj me procesin mësimor” – ka thënë Saqipi më 15.09.2026.

Kurse, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, tha se e kanë pranuar kërkesën e Shkollës “Prenk Jakova” për mësimdhënës dhe e kanë dërguar në Njësinë e Burimeve Njerëzore për t’u shpallur në mënyrë emergjente konkursi për këto pozita.

“Nuk është shpallur [konkursi]. Jemi në pritje. Besoj që brenda javës kemi një konfirmim [nga Burimet Njerëzore të Komunës] dhe përfundon kjo çështje, dhe shpallet.” – tha Elshani.

Elshani ka shpjeguar se duhet të kryhen të gjitha procedurat e rekrutimit që Shkolla “Prenk Jakova” të plotësohet me mësimdhënësit e nevojshëm.

Ai tha se nuk ishte në dijeni se nxënësit në Shkollën “Prenk Jakova” që nuk kanë mësimdhënës nuk janë duke mbajtur mësim.

Elshani e ka mohuar se ka pranuar ankesa nga prindërit për mungesën e mësimdhënësve në Shkollën “Prenk Jakova”. Ndërsa, e ka pohuar se ka shkolla të tjer ku kanë mungesë të mësimdhënësve.

“Në fillim ka pasur në Shkollën “Pavarësia”, për shkak të dy pozitave që i ka ushtruar një person… Kemi pasur në “Xhevdet Doda” disa mungesa” – ka treguar Elshani.

Ndërsa, drejtori Saqipi tha se ka pranuar ankesa gojarisht nga prindërit në zyrën e tij, të cilët janë interesuar se kur do të fillojnë mësimin nxënësit dhe arsyen se pse nuk janë duke filluar. / KALLXO.com