Diellza Berisha ka shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj akademik, duke mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në fushën e Shkencave Kompjuterike pranë Institutit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Akademisë Bullgare të Shkencave në Sofje, shkruan AlbanianEducation.net.
Ajo përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha ka ndarë emocionet e kësaj dite, duke shprehur mirënjohjen për mentorin, kolegët, familjen dhe të gjithë personat që e kanë mbështetur gjatë viteve të studimit dhe punës kërkimore. Në veçanti, ajo ia ka dedikuar këtë disertacion edhe motrës së saj të ndjerë, duke e përshkruar këtë arritje si një moment me rëndësi të veçantë personale dhe familjare.
Postimi i saj:
Sot, me emocion të veçantë dhe mirënjohje të thellë, ndaj me ju një nga arritjet më të rëndësishme të jetës sime: kam mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në fushën e Shkencave Kompjuterike, pranë Institutit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të Akademisë Bullgare të Shkencave në Sofje. 🎓
Kjo ditë kurorëzon vite pune, përkushtimi dhe sfidash. Këtë gëzim e ndaj me njerëzit që më kanë qëndruar pranë, kanë besuar tek unë dhe më kanë dhënë forcë në çdo hap të këtij rrugëtimi.
Mirënjohjen time më të thellë ia shpreh mentorit tim, Prof. Vassil Guliashki, për udhëheqjen shkencore, durimin dhe përkushtimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Këshillat e tij të çmuara, besimi tek unë dhe mbështetja e vazhdueshme kanë pasur një rol të rëndësishëm në përfundimin e këtij disertacioni dhe në formimin tim si studiuese. Për gjithçka që kam mësuar prej tij, do të mbetem gjithmonë mirënjohëse.
Falënderoj përzemërsisht Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, për mbështetjen, besimin dhe inkurajimin në rrugëtimin tim akademik dhe profesional. Besimi i tij në punën time dhe në potencialin tim ka qenë një shtysë e çmuar për të ecur përpara.
Falënderoj me shumë respekt Prof. Galia Marinova për kujdesin, gatishmërinë dhe ndihmën e vazhdueshme. Mirënjohje edhe anëtarëve të jurisë për kohën, vlerësimin dhe kontributin e tyre shkencor.
Prindërve të mi të dashur, faleminderit për dashurinë pa kushte, për sakrificat dhe për besimin që keni pasur gjithmonë tek unë. Në themel të kësaj arritjeje janë vlerat që më keni dhënë dhe forca që kam gjetur te ju. Uroj që sot t’ju kem dhënë një arsye më shumë për të buzëqeshur me krenari. Ky sukses ju përket edhe juve.
Në këtë ditë kaq të rëndësishme, mendja dhe zemra ime janë edhe te motra ime e shtrenjtë, së cilës ia kam dedikuar këtë disertacion. Motra ime, sa shumë do të doja të të kisha sot pranë, të të përqafoja dhe ta ndaja me ty këtë gëzim. Mes gjithë urimeve, më mungon zëri yt; mes gjithë përqafimeve, më mungon përqafimi yt. Edhe pse nuk je më në mesin tonë, ti ke vendin tënd të pazëvendësueshëm në jetën time dhe në këtë arritje. Në faqet e këtij disertacioni është dedikimi për ty; në zemrën time, dashuria dhe malli për ty janë çdo ditë. Këtë gëzim ta kushtoj edhe ty, motra ime. 🤍
Bashkëshortit tim, faleminderit që më ke qëndruar pranë me dashuri, durim dhe mirëkuptim. Faleminderit për mbështetjen në ditët e ngarkuara dhe për besimin tek unë, edhe në çastet kur lodhja më rëndonte. Prania jote e ka bërë këtë rrugëtim më të përballueshëm dhe këtë gëzim edhe më të bukur.
Dhe ty, Aja ime e vogël, faleminderit për dritën që i jep jetës sime. Në ditët më të lodhshme, buzëqeshja dhe përqafimi yt kanë qenë forca ime. Sot je ende e vogël për ta kuptuar këtë ditë, por një ditë shpresoj t’i lexosh këto fjalë dhe ta dish sa shumë më ke frymëzuar. Uroj që kjo arritje e imja të të kujtojë gjithmonë se ëndrrat e tua meritojnë besim, guxim dhe përkushtim.
Sot e ndaj këtë arritje me të gjithë ju që më keni dashur, mbështetur dhe qëndruar pranë. Me gjithë zemër, faleminderit! 🤍🎓