Kanë mbetur edhe vetëm një javë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit ende nuk i kanë pranuar në llogaritë e tyre mjetet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.
Ministria e Arsimit ende nuk ka dhënë detaje nëse pagesat do të ekzekutohen gjatë ditës së sotme, 24 gusht, apo se kur pritet të bëhet transferimi i mjeteve në llogaritë bankare të prindërve.
Ditë më parë, nga Ministria ishte bërë e ditur se ekzekutimi i mjeteve do të niste gjatë javës së kaluar, duke filluar nga 17 gushti. Megjithatë, pagesat nuk u realizuan sipas këtij afati të paralajmëruar.
Subvencionimi për tekstet dhe materialet shkollore përfshin nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, ndërsa mjetet, sipas njoftimit të Ministrisë, duhet të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogaritë e prindërve ose aplikuesve.
Ndërkohë, prindërit janë në pritje të mjeteve për të blerë librat dhe materialet e nevojshme para fillimit të vitit të ri shkollor.
Deri më tani, nuk ka një njoftim të ri zyrtar nga Ministria që përcakton një datë të saktë për ekzekutimin e pagesave.
A do të dalin sot paratë për librat, apo prindërit do të duhet të presin edhe më gjatë?