Në moshën 67-vjeçare, Rakbete Krasniqi nga Prishtina është ulur sërish në bankat shkollore, për ta realizuar një ëndërr që nuk kishte mundur ta përmbushte gjatë fëmijërisë.
Krasniqi, e cila tash po ndjek mësimet e klasës së shtatë, tregon se rruga drejt arsimimit ishte e pamundur për të në fëmijëri, për shkak të pengesave familjare.
Ajo rrëfen se gjyshi nuk i kishte lejuar vajzat e familjes që të shkonin në shkollë, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, pas shumë vitesh, ajo vendosi t’i rikthehej mësimit.
Për 18 javë, Krasniqi thotë se ka bërë përparim të madh, veçanërisht në shkrim dhe lexim.
“Për 18 javë, fund e kry e kam mësu abetaren. Shkrim-leximin shqip e kam përmirësu shumë”, ka thënë ajo.
Krasniqi u ka bërë thirrje edhe grave të tjera që nuk kanë pasur mundësi të arsimohen në kohën e duhur, që të mos heqin dorë nga kjo mundësi.
Ndërkaq, drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, ka treguar se programi i mësimit intensiv për të rritur po shënon përparim.
Në shkollën “Emin Duraku”, krahas nxënësve të moshës së rregullt shkollore, mësimet i ndjekin edhe rreth 25 të rritur.
/Marrë nga KlanKosova